e martë, 16 prill 2013

Sa kushton të jesh student

Nga: Sonida Hala

“ Të përgatitesh për të ardhmen, ka kosto të lartë”, -shprehet një studente e vitit të dytë për gjuhë-letërsi. Ajo tregon se paratë e para që ka nxjerrë nga xhepi kur ka filluar studimet kanë qenë ato për të paguar konviktin. “Vitin e shkuar pagova 400 mijë lekë të vjetra,  kurse këtë vit kam paguar 420 mijë lekë të vjetra. Këtë vit ishte shtuar një 20 mijë lekësh gjoja për siguracion që mbahet për dëmtim të bazës material dhe për tejkalim të ujit të pijshëm dhe të energjisë elektrike.” –tregon studentja e revoltuar.
Por nuk mbaron me kaq. Sepse këto para nuk janë të vetmet që studentët nxjerrin nga xhepi. Ata shpenzojnë gjatë gjithë vitit akademik për të blerë libra, për fotokopje, për t’u ushqyer etj.  ‘’Jemi me fat që disa prej profesorave na lejojnë ti fotokopjojmë librat pasi ti blesh ato kushtojnë.” - shpjegon K.M, studente e gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Ajo na tregon se në shtëpinë e saj punon vetëm babai. Nuk kanë as një burim tjetër financiar.“Ka pasur raste që babai ka marrë lekë borxh për të më dhënë mua.”- thotë ajo.
Pas një pushimi të shkurtër prej disa sekondash ajo vazhdon: “Jam përpjekur të gjej dhe një punë. Të paktën të ndihmoja sadopak familjen.Po është e pamundur. Kërkojnë eksperiencë.’’
Studentët tregojnë se kërkojnë punë nëpër lokale si kamarierë apo nëpër call center si operatorë telefonikë. Natyrisht që kjo e fundit kërkon zotërimin e një gjuhe të huaj.

Një studenti i duhen rreth 10 mijë lekë për të mbuluar shpenzimet e një muaji. Këto para zënë shpesh here një pjesë shumë të madhe të buxhetit familjar. Ka familje që kanë më shumë se një fëmijë në shkollë. Për ta është shumë e vështirë të përballojnë shpenzimet dhe sidomos kur i vetmi burim në shtëpi është rroga e kryefamiljarit. Ky duket se është dhe rasti i vajzës nga qyteti i Rubikut, Mirës. Ajo studion për gjeografi, viti i dytë, master professional kurse motra e saj studion frengjisht, viti i dytë bachelor. Mira tregon se për familjen e saj është shumë e vështirë të përballojë shpenzimet e të dy vajzave.
“Jetesa në kryeqytet është shumë e vështirë. Në familjen tone punon vetëm babai se vëllai është akoma i vogël. Vitin e kaluar me vështirësi gjeta punë në një fast-food me një rrogë minimale prej 10 mijë lekësh. Nuk ishin shumë por të paktën shërbenin për dicka. Këtë vit nuk gjeta dot”- tregon studentja.

Studentët nuk kërkojnë sigurime dhe në qoftë se u ndodh diçka në punë përsëri paguajnë prindërit.

Nuk ka komente:

Posto një koment