Para disa ditësh takova një
mikeshën time. U ulëm diku për të biseduar dhe ndërsa po i tregoja për një
ngjarje që më kishte ndodhur, po vëreja se ajo nuk më shikonte kurrë në sy dhe
se vazhdimisht pohonte ato që po thoja. Tregimi mu ndërpre nga një telefonatë e
shkurtër dhe duke vënë re sjelljen e shoqes, vendosa që pas telefonatës, të mos
ta vazhdoja më. Kjo disi edhe për të testuar mikeshën time. Kështu nisa ta
pyesja për diçka tjetër dhe nuk më habiti fakti që ajo nuk kërkoi të dinte
fundin e historisë së mëparshme.
Pikërisht sjellja e saj ishte
pjesë e një komunikimi joverbal i cili tregonte qartazi një mungesë interesi për
temën e bisedës apo qoftë dhe mungesë vëmendjeje. Sigurisht që ajo në mënyrë të
vetdijshme, mund të mos ketë dashur të krijojë këtë përshtypje te unë duke qenë
se pohonte ato që unë thoja, por u tradhtua nga e pavetdijshmja. Nuk arrinte të
kuptonte se sytë e saj flisnin më shumë se fjalët që thoshte.
Duke qenë se një faktor shumë i
rëndësishëm që ndikon në komunikimin
joverbal është kultura, sjelljen e mikeshës sime, dikush tjetër në një vend
tjetër, mund të mos ta kishte interpretuar në të njëjtën mënyrë. Një japonez për
shembull, mungesën e kontaktit sy më sy do ta interpretonte si një shenjë
respekti. Por këto ndryshime kulturore të komunikimit joverbal shpesh shkaktojnë
keqkuptime e madje dhe probleme. Sipas Institutit Politeknik
Rensselaer shenja “O.K.” që përdorin gjerësisht amerikanët, në Japoni ka kuptimin
e parasë, ndërsa në disa vende të Amerikës Latine ky gjest ka kuptim ofendues.
Prandaj botuesit e një gazete në Brazil publikuan me kënaqësi një fotografi të
Presidentit amerikan duke bërë shenjën “O.K.” me të dyja duart.
Sytë dhe fytyra në përgjithësi,
janë padyshim pjesët më shprehëse të trupit të njeriut. Edhe nëse përpiqemi t’i
fshehim reagimet dhe emocionet tona, shpesh fytyra na tradhton. Vetëm sytë gjatë
komunikimit shprehin 80% të mesazhit. Dane Archer i Universitetit të Kalifornisë e quan fytyrën “organi i emocionit”. Ajo është
si një telajo dinamike thotë ai, ku emocionet
vizatohen gjallërisht, pastaj papritur fshihen vetëm për të rivizatuar në një
shprehje të re një çast më vonë. Sipas Archer fytyra është ndoshta “kanali” më
i fuqishëm i komunikimit joverbal.
”Ne kodojmë mesazhe në shprehjet e fytyrave tona dhe në të njëjtën kohë
çkodojmë fytyrat e njerëzve rreth nesh.”
Por komunikimi joverbal nuk ka
të bëjë vetëm me shprehjet e fytyrës. Në të përfshihen lëvizjet trupore, qëndrimi,
distanca mes personave, veshja, pamja e jashtme në tërësi, zëri, prekjet, aromat
etj. Sipas një studimi të publikuar tek
“The New York Times” edhe prekjet kanë një rëndësi dhe domethënie mjaft të
madhe. Janë monitoruar ekipet e basketbollit të NBA dhe ka rezultuar se ekipet,
lojtarët e të cilave kishin më tepër kontakt fizik me njëri-tjetrin, ishin dhe
më të suksesshmet. Në artikull Dr. Matthew Hertenstein shprehet:
“Dikur ne mendonim se prekja shërbente vetëm për të intensifikuar
emocionet e komunikuara.” Tani del se ato janë “një sistem sinjalesh shumë më të
diferencuara nga çfarë ne kishim imagjinuar.”
Një studim i Universitetit të
Kalifornisë në Los Angeles(UCLA) tregon se gjatë
komunikimit, 93% e mesazhit vjen te marrësi në mënyrë joverbale. Pra vetëm 7% e
mesazhit përcillet nga fjalët. Por pavarësisht faktit se ky studim ka marrë
kritika të shumta, mendoj se fuqia e komunikimit joverbal absolutisht nuk mund
të nënvlerësohet. Çdokush mund të
provojë të shikojë një film dhë të ulë tërësisht volumin e televizorit. Nuk do
ta kishte shumë të vështirë të kuptonte rrjedhën e ngjarjeve.
Të transmetosh një mesazh nuk
do të thotë domosdoshmërisht të transmetosh mesazhn që ti ke në mendje. Marrësi
mund ta interpretojë atë shumë ndryshe nga ti. Në rastin më të mirë komunikimi
joverbal është përforcues i atij verbal, e mbështet atë, por përndryshe, në
qoftë se ata janë kontradiktorë, atëherë
do të besohet ai joverbal. Duke qenë i pavetdijshëm dhe rrjedhimisht i
pakontrollueshëm, komunikimi joverbal shpreh më mirë identitetin dhe karakterin
e personave prandaj është dhe më i besueshëm. Ne japim dhe marrim me mijëra
mesazhe joverbale në ditë. Prandaj njerëzit duhet të tregohen shumë të kujdeshëm
për komunikimin joverbal nëse duan të kuptohen siç duhet dhe të mos dërgojnë
mesazhe të gabuara pasi shpesh herë, veprimet flasin më shumë se fjalët.
Nuk ka komente:
Posto një koment