e hënë, 8 prill 2013

Mania Facebook




  Facebook është bërë sot një nga fjalët më të pranishme në jetët tona. I krijuar më 28 tetor 2003 nga Mark Zuckerberg, Facebook-u është pjesë e pandarë e jetëve të gati 900 milion personave ne te gjithë botën. Por a janë të sigurt përdoruesit e këtij rrjeti social gjigand? Le të shqyrtojmë disa argumenta dhe fakte mbi këtë çështje.
   Joan Goodchild, botuesja e Chief Security Officer Online, në intervistën e saj për CBS, identifikon pesë rreziqe te fshehta të Facebook-ut ndër të cilat përmend:

‘’  Çdo herë që Facebook ridizenjon site-in, gjë që ndodh të paktën disa herë në vit, i rikthen rregullimet e privatësisë në gjendjen fillestare në të cilën, praktikisht, të gjitha të dhënat e tua bëhen publike.
   Ka shumë mënyra se si palët e treta(përveç nesh dhe shoqerisë sonë) mund të përfitojnë akses në të dhënat e tua. Për shembull, ti mund të mos ta kuptosh që kur je duke luajtur lojrat popullore në Facebook…ti autorizon download-imin e aplikacioneve në profilin tënd të cilat i japin informacion palëve të treta.
   Misioni i facebook-ut është që të të bëjë ty të ndash sa më shumë informacion të mundet në mënyrë që ta ndajë atë me reklamuesit(reklamuesit paguhen për çdo klikim në faqen e tyre)… ’’



   Këto janë disa nga arsyet pse privatësia e miliona përdoruesve të Facebook është në rrezik. Por në disa raste, rreziku nuk është vetëm ky. Sipas një artikulli të FoxNews, Facebook-u po gjeneron një valë krimesh. Këto krime variojnë nga mashtrimet e të gjitha llojeve, siç janë lajmet e rreme për vdekjen e peronave të famshëm, tek ngacmimet seksuale, vjedhjet e kodeve të kartave të kreditit, deri te përdhunimet e ndonjëherë dhe vrasjet. Në vitin 2010 në Britani janë regjistruar 6’200 krime të cilat kanë në qendër të tyre site-in popullor, ndërsa për DailyMail, në periudhën 2005-2010 kjo shifër është 100’000. Pra vihet re një rritje e ndjeshme e këtyre shifrave me kalimin e kohës por edhe me sofistikimin e teknologjisë. Të gjitha këto i mundëson pikërisht teknologjia sa e dobishme, aq dhe e dëmshme që përdor Facebook-u. Sidoqoftë, ekzistojnë dhe raste disi absurde siç është arrestimi  i  një programuesi kompjuterash tajlandez, i cili akuzohej për ofendim të mbretit në një faqe Facebook-u. Akuza kërkonte dënimin e tij me 15 vjet burg.
   Megjithatë nuk mund të themi se Facebook-u ka vetëm efekte negative. Ai sigurisht ka lehtësuar tej mase komunikimin. Njerëzit janë më të informuar për veprimtaritë e njëri-tjetrit, kanë mundësi të komunikojnë kudo që të jenë, të argëtohen me lojra dhe aplikacione të ndryshme, të njohin njerëz të rinj etj, dhe të gjitha këto shërbime, Facebook i mundëson për përdoruesit e tij 24 orë në ditë. Por si çdo gjë e konsumuar me tepricë, edhe përdorimi i tepërt i Facebook-ut kthehet në diçka negative. Në këtë rast kemi efektin e varësisë ndaj rrjetit social. Sipas një studimi të Universitetit të Bergen-it (UiB) në Norvegji, ekzistojnë 6 shenja të cilat tregojnë se dikush është i varur nga Facebook-u:

‘’1-Ju shpenzoni shumë kohë duke përdorur Facebook-un ose duke planifikuar përdorimin e tij.
   2-Ju ndjeni një nevojë për për të përdorur Facebook-un gjithnjë e më shumë.
   3-Ju e përdorni Facebook-un për të harruar problemet personale.
   4-Ju keni provuar të ndërprisni përdorimin e Facebook-ut por pa sukses.
   5-Ju bëheni nervoz dhe të shqetësuar nëse ju ndalohet përdorimi I Faceboook-ut.
   6-Ju e përdorni Facebook-un aq shumë sa ka një impakt negativ mbi punën apo studimet tuaja’’          

  Këto janë pyetjet që gjithëkush mund t’i bëjë vetes për të kuptuar nëse është i varur nga Facebook apo jo. Por kjo shkon dhe më tej. Një studim i Shkollës së Biznesit Booth të Chicago-s tregon se t’i rezistosh rrjeteve sociale si Facebook apo edhe Twitter, është më e vështirë se t’i rezistosh duhanit apo alkoolit. 250 personat të cilët ishin pjesë e eksperimentit të udhëhequr nga Dr.Wilhelm Hofmann, dështuan në tentativën për t’i rezistuar rrjeteve sociale.
   Mikesha ime, K., është aq e dhënë pas Facebook-ut sa ndodh rëndom që kur mblidhemi në shoqëri, ajo është tërësisht inaktive në bisedë pasi ka hapur faqen e saj të Facebook-ut në telefonin celular. Vërej se këta njerëz, sa më shumë përfshihen në faqet e rrjeteve sociale, aq më shumë i largohen botës reale. Përpiqen aq shumë të perfeksionojnë atë jetën e tyre virtuale, sa harrojnë atë reale. Mendoj se
 këta persona kanë prirjen të kenë boshllëqe në jeten e tyre. Shpesh herë u mungon dashuria, vëmendja e të tjerëve ose nuk janë të kënaqur me pamjen e tyre. Kështu ata mundohen t’i mbushin këto boshllëqe në faqet e rrjeteve sociale, ku ke mundësinë ta nisësh gjithçka nga e para dhe të krijojsh një jetë perfekte, por që gjithsesi  mbetet virtuale.



  Edhe sipas studimit të Universitetit të York-ut, narcisistët dhe njerëzit me vetëvlerësim të ulët janë ata të cilët janë më të varur nga Facebook-u. Studiuesja Soraya Mehdizadeh thotë se këta persona e përdorin Facebook-un si një mjet për promovimin e vetvetes.
   Sigurisht që Facebook nuk duhet zhdukur, por duhet të moderohet disi përdorimi i tij. Ai është një mjet komunikimi dhe argëtimi mjaft i dobishëm, por përdorimi eksesiv i tij ka pasoja negative.
   Dhe këto pasoja shpeshherë nuk prekin vetëm përdoruesin, por edhe personat rreth tij. Një vëzhgim i Universitetit të Loyola-s tregon se numri i divorceve me shkak Facebook-un është në një shifër shumë të lartë, sidomos në SH.B.A. ku Facebook-u citohet në 20% të  rasteve të divorceve. Kjo është një shenjë që tregon se Facebook-u ka depërtuar aq thellë në shoqërinë tonë, sa mundet të shkatërrojë edhe familjen, bërthamën e shoqërisë.
   Por, në fakt, ata që kërcënohen më shumë nga Facebook-u janë fëmijët. Sikur të mos mjaftonte fakti që shumë fëmijë gënjejnë për moshën e tyre për tu regjistruar në Facebook dhe që shumë prindër i ndihmojnë ata për ta bërë këtë, vitin e kaluar, themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg deklaroi se do punonte për pranimin në Facebook edhe të fëmijëve nën 13 vjeç.

 Në opinionin tim ky është një hap prapa për sa i përket çështjes së sigurisë së fëmijëve. Facebook-u mund t’i ofrojë botës së një fëmije përmbajtje krejt të papërshtatshme për moshën e tij duke qenë se prindërit jo gjithmonë janë aty për të vëzhguar veprimtarinë e fëmijëve të tyre. Duke publikuar në Facebook të gjitha të dhënat e veta personale, një fëmijë rrezikon të bëhet viktime e krimeve të ndryshme siç mund të jetë pedofilia. Dhe së fundi një fëmijë mund të ketë interes më të madh për të shpenzuar kohë në Facebook sesa për të studiuar.
  Ritheksoj se Facebook  nuk ka vetëm anë negative,ai ka një meritë të madhe në fushën e komunikimit, por diçka është e sigurt. Siguria në këtë rrjet gjigand është e standarteve vërtet të ulta, prandaj të gjithë përdoruesit dhe sidomos prindërit e fëmijëve që përdorin Facebook-un duhet të tregojnë kujdes në veprimtarinë e tyre virtuale. Nuk mund të lejojmë Facebook-un të shkatërrojë shoqërinë tonë.


                                                                                                                                                Kristi Tashi

Nuk ka komente:

Posto një koment