Ky libër i shkrimtarit indian Salman Rushdie, shumë i diskutuar në mbarë botën për veprat e tij të cilat shkaktuan trazira të mëdha në botën islamike(“Vargjet Satanike”), të krijon idenë se je duke lexuar një përrallë, por një përrallë kjo me përmbajtje për të rritur(!). Ndoshta këtë përshtypje ta krijon dhe kopertina e cila është tipike e librave me përralla, por edhe përmbajtja e tij.
Që
në fillim libri të zhyt në një atmosferë ekzotike, na çon në perandorinë e largët
të Mongolit të Madh, perandorit Ekber.
“Liqeni
vezullues, në grimat e fundit të dritës së ditës, në këmbët e pallat-qytetit,
ngjante me një det ari të shkrirë. Udhëtarit, i cili po kalonte këndej në perëndim
të diellit, përgjatë rrugës së bregut të liqenit, mund t’i dukej sikur po i
afrohej fronit të një monarku kaq të kamur, saqë kishte dhënë lejen që një pjesë
të thesarit të tij ta shkrinin e, me të, të mbushnin një gropë të stërmadhe në
tokë, e gjitha kjo për të lëbyrur sytë dhe mendjet e mysafirëve...”
Në
dyert e kësaj perandorie, shfaqet një ditë një djalosh flokëverdhë fiorentinas
i cili e quan veten “Mogor del’ Amore”(mongol i lindur jashtë lidhjes
martesore). Ai mban me vete një sekret i cili sipas tij është i denjë vetëm për
veshët e një perandori, një gjetje e autorit kjo që ia mban kureshtjen ndezur
lexuesit. Rrëfimi i ketij sekreti na çon në aventura të shumta, nga njëri
kontinent në tjetrin duke përfshirë një larmi personazhesh të historisë botërore
si Machiavelli, familja Medici e Firences, Shah Ismaili i Persisë, Amerigo
Vespucci, Vlad Drakula etj. I gjithë libri përshkohet nga alternime të
vazhdueshme të periudhave kohore dhe të perspektivave. Historia tregohet nga këndvështrimet
e pesonazheve të pafundë, herë realë e herë të trilluar nga vetë autori të cilët
janë të vendosur në periudha të ndryshme kohore.
Thelbi
i tregimit është analogjia midis Perëndimit dhe Lindjes, ku vihen përballë
Firence dhe Sikri(kryeqytet i perandorise Mugale), raport që përshkallëzohet më
tej me lidhjen e gjakut mes perandorit Ekber dhe djaloshit fiorentinas Niccolo
Vespucci.
Libri është një përzierje mes filozofisë,
historisë dhe fiction-it. Perandori Ekber shumë shpesh mediton mbi dilemat e mëdha
që ka në lidhje me pushtetin, qeverisjen e vendit, por edhe për marrëdhëniet
shoqërore. Për kompleksitetin e natyrës njerëzore.
“ ‘Ne’-ja ishte fjala e lindur për mbretërit. Mirëpo
edhe vegjëlia , pa dyshim, fliste për veten me përemrin ‘ne’, ia lejoi vetes të
mendojë për hir të drejtësisë dhe në funksion të debatit. Mos e kishin gabim?
Apo (Ah, mendim tradhtar!) mos e kishte ai gabim?...”
Ekberi,
nëpërmjet imagjinatës ka sjellë në jetë bashkëshorten e tij ideale e cila vërtitet
nëpër pallat si një fantazmë, e urryer nga gratë e tjera(reale) të perandorit;
princesha magjistricë, Karakëzja, është në gjendje të magjepsë këdo që e
shikon, qoftë burrë apo grua...dhe një sërë ngjarjesh të kësaj natyre, zënë
vend në tregim. Libri ka doza erotizmi madje vende-vende edhe sharje që ndoshta
publiku shqiptar mund të mos jetë mësuar t’i gjejë nëpër libra. Megjithatë,
pavarësisht befasisë së lehtë që të krijojnë këto elemente të fundit, çdo gjë është
përshtatur më së miri me të tërën. Libri është mjaft i kompletuar për shkak të
të gjithë elementeve që autori ka përfshirë në të, ndërtimi në formën e një përralle,
e bën shumë tërheqës dhe ka aftësinë ta largojë lexuesin nga realiteti dhe
streset që ai mbart.
Kristi Tashi
Nuk ka komente:
Posto një koment