Facebook është bërë
sot një nga fjalët më të pranishme në jetët tona. I krijuar më 28 tetor 2003
nga Mark Zuckerberg, Facebook-u është pjesë e pandarë e jetëve të gati 900
milion personave ne te gjithë botën. Por
a janë të sigurt përdoruesit e këtij rrjeti social gjigand? Le të
shqyrtojmë disa argumenta dhe fakte mbi këtë çështje.
Joan Goodchild,
botuesja e Chief Security Officer Online, në
intervistën e saj
për CBS, identifikon pesë rreziqe te fshehta të Facebook-ut ndër të cilat
përmend:
‘’ Çdo herë që Facebook ridizenjon
site-in, gjë që ndodh të paktën disa herë në vit, i rikthen rregullimet e
privatësisë në gjendjen fillestare në të cilën, praktikisht, të gjitha të dhënat
e tua bëhen publike.
Ka shumë mënyra se si palët e treta(përveç
nesh dhe shoqerisë sonë) mund të përfitojnë
akses në të dhënat e tua. Për
shembull, ti mund të mos ta kuptosh që kur je duke luajtur lojrat popullore në
Facebook…ti autorizon download-imin e aplikacioneve në profilin tënd të cilat i
japin informacion palëve të treta.
Misioni i facebook-ut është që të të bëjë ty
të ndash sa më shumë informacion të mundet në mënyrë që ta ndajë atë me
reklamuesit(reklamuesit paguhen për çdo klikim në faqen e tyre)… ’’
Këto janë disa nga
arsyet pse privatësia e miliona përdoruesve të Facebook është në rrezik. Por në
disa raste, rreziku nuk është vetëm ky. Sipas një
artikulli
të FoxNews, Facebook-u po gjeneron një valë krimesh. Këto krime variojnë nga
mashtrimet e të gjitha llojeve, siç janë lajmet e rreme për vdekjen e peronave
të famshëm, tek ngacmimet seksuale, vjedhjet e kodeve të kartave të kreditit, deri
te përdhunimet e ndonjëherë dhe vrasjet. Në vitin 2010 në Britani janë
regjistruar 6’200 krime të cilat kanë në qendër të tyre site-in popullor,
ndërsa për
DailyMail,
në periudhën 2005-2010 kjo shifër është 100’000. Pra vihet re një rritje e
ndjeshme e këtyre shifrave me kalimin e kohës por edhe me sofistikimin e
teknologjisë. Të gjitha këto i mundëson pikërisht teknologjia sa e dobishme, aq
dhe e dëmshme që përdor Facebook-u. Sidoqoftë, ekzistojnë dhe raste disi
absurde siç është
arrestimi
i
një programuesi kompjuterash tajlandez, i cili akuzohej për ofendim të
mbretit në një faqe Facebook-u. Akuza kërkonte dënimin e tij me 15 vjet burg.
Megjithatë nuk mund
të themi se Facebook-u ka vetëm efekte negative. Ai sigurisht ka lehtësuar tej
mase komunikimin. Njerëzit janë më të informuar për veprimtaritë e
njëri-tjetrit, kanë mundësi të komunikojnë kudo që të jenë, të argëtohen me
lojra dhe aplikacione të ndryshme, të njohin njerëz të rinj etj, dhe të gjitha
këto shërbime, Facebook i mundëson për përdoruesit e tij 24 orë në ditë. Por si
çdo gjë e konsumuar me tepricë, edhe përdorimi i tepërt i Facebook-ut kthehet
në diçka negative. Në këtë rast kemi efektin e varësisë ndaj rrjetit social.
Sipas një
studimi të Universitetit të Bergen-it (UiB) në Norvegji, ekzistojnë 6
shenja të cilat tregojnë se dikush është i varur nga Facebook-u:
‘’1-Ju shpenzoni shumë kohë duke përdorur
Facebook-un ose duke planifikuar përdorimin e tij.
2-Ju
ndjeni një nevojë për për të përdorur Facebook-un gjithnjë e më shumë.
3-Ju
e përdorni Facebook-un për të harruar problemet personale.
4-Ju
keni provuar të ndërprisni përdorimin e Facebook-ut por pa sukses.
5-Ju bëheni nervoz dhe të shqetësuar nëse ju
ndalohet përdorimi I Faceboook-ut.
6-Ju e përdorni Facebook-un aq shumë
sa ka një impakt negativ mbi punën apo studimet tuaja’’
Këto janë pyetjet që gjithëkush mund t’i bëjë vetes për të kuptuar nëse
është i varur nga Facebook apo jo. Por kjo shkon dhe më tej. Një
studim
i Shkollës së Biznesit Booth të Chicago-s tregon se t’i rezistosh rrjeteve
sociale si Facebook apo edhe Twitter, është më e vështirë se t’i rezistosh
duhanit apo alkoolit. 250 personat të cilët ishin pjesë e eksperimentit të
udhëhequr nga Dr.Wilhelm Hofmann, dështuan në tentativën për t’i rezistuar
rrjeteve sociale.
Mikesha ime, K., është aq e dhënë pas Facebook-ut sa ndodh rëndom që kur
mblidhemi në shoqëri, ajo është tërësisht inaktive në bisedë pasi ka hapur
faqen e saj të Facebook-ut në telefonin celular. Vërej se këta njerëz, sa më
shumë përfshihen në faqet e rrjeteve sociale, aq më shumë i largohen botës
reale. Përpiqen aq shumë të perfeksionojnë atë jetën e tyre virtuale, sa
harrojnë atë reale. Mendoj se
këta persona kanë prirjen të kenë boshllëqe në
jeten e tyre. Shpesh herë u mungon dashuria, vëmendja e të tjerëve ose nuk janë
të kënaqur me pamjen e tyre. Kështu ata mundohen t’i mbushin këto boshllëqe në
faqet e rrjeteve sociale, ku ke mundësinë ta nisësh gjithçka nga e para dhe të
krijojsh një jetë perfekte, por që gjithsesi
mbetet virtuale.
Edhe sipas
studimit
të Universitetit të York-ut, narcisistët dhe njerëzit me vetëvlerësim të ulët
janë ata të cilët janë më të varur nga Facebook-u. Studiuesja Soraya Mehdizadeh
thotë se këta persona e përdorin Facebook-un si një mjet për promovimin e
vetvetes.
Sigurisht që Facebook nuk duhet zhdukur, por
duhet të moderohet disi përdorimi i tij. Ai është një mjet komunikimi dhe
argëtimi mjaft i dobishëm, por përdorimi eksesiv i tij ka pasoja negative.
Dhe këto pasoja
shpeshherë nuk prekin vetëm përdoruesin, por edhe personat rreth tij. Një
vëzhgim
i Universitetit të Loyola-s tregon se numri i divorceve me shkak Facebook-un
është në një shifër shumë të lartë, sidomos në SH.B.A. ku Facebook-u citohet në
20% të
rasteve të divorceve. Kjo është
një shenjë që tregon se Facebook-u ka depërtuar aq thellë në shoqërinë tonë, sa
mundet të shkatërrojë edhe familjen, bërthamën e shoqërisë.
Por, në fakt, ata
që kërcënohen më shumë nga Facebook-u janë fëmijët. Sikur të mos mjaftonte
fakti që shumë fëmijë gënjejnë për moshën e tyre për tu regjistruar në Facebook
dhe që shumë prindër i ndihmojnë ata për ta bërë këtë, vitin e kaluar,
themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg deklaroi se do punonte për pranimin në
Facebook edhe të fëmijëve nën 13 vjeç.
Në opinionin tim ky është një hap prapa
për sa i përket çështjes së sigurisë së fëmijëve. Facebook-u mund t’i ofrojë
botës së një fëmije përmbajtje krejt të papërshtatshme për moshën e tij duke
qenë se prindërit jo gjithmonë janë aty për të vëzhguar veprimtarinë e fëmijëve
të tyre. Duke publikuar në Facebook të gjitha të dhënat e veta personale, një
fëmijë rrezikon të bëhet viktime e krimeve të ndryshme siç mund të jetë
pedofilia. Dhe së fundi një fëmijë mund të ketë interes më të madh për të
shpenzuar kohë në Facebook sesa për të studiuar.
Ritheksoj se
Facebook nuk ka vetëm anë negative,ai ka
një meritë të madhe në fushën e komunikimit, por diçka është e sigurt. Siguria
në këtë rrjet gjigand është e standarteve vërtet të ulta, prandaj të gjithë
përdoruesit dhe sidomos prindërit e fëmijëve që përdorin Facebook-un duhet të
tregojnë kujdes në veprimtarinë e tyre virtuale. Nuk mund të lejojmë
Facebook-un të shkatërrojë shoqërinë tonë.
Kristi Tashi