e martë, 16 prill 2013

Sa kushton të jesh student

Nga: Sonida Hala

“ Të përgatitesh për të ardhmen, ka kosto të lartë”, -shprehet një studente e vitit të dytë për gjuhë-letërsi. Ajo tregon se paratë e para që ka nxjerrë nga xhepi kur ka filluar studimet kanë qenë ato për të paguar konviktin. “Vitin e shkuar pagova 400 mijë lekë të vjetra,  kurse këtë vit kam paguar 420 mijë lekë të vjetra. Këtë vit ishte shtuar një 20 mijë lekësh gjoja për siguracion që mbahet për dëmtim të bazës material dhe për tejkalim të ujit të pijshëm dhe të energjisë elektrike.” –tregon studentja e revoltuar.
Por nuk mbaron me kaq. Sepse këto para nuk janë të vetmet që studentët nxjerrin nga xhepi. Ata shpenzojnë gjatë gjithë vitit akademik për të blerë libra, për fotokopje, për t’u ushqyer etj.  ‘’Jemi me fat që disa prej profesorave na lejojnë ti fotokopjojmë librat pasi ti blesh ato kushtojnë.” - shpjegon K.M, studente e gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Ajo na tregon se në shtëpinë e saj punon vetëm babai. Nuk kanë as një burim tjetër financiar.“Ka pasur raste që babai ka marrë lekë borxh për të më dhënë mua.”- thotë ajo.
Pas një pushimi të shkurtër prej disa sekondash ajo vazhdon: “Jam përpjekur të gjej dhe një punë. Të paktën të ndihmoja sadopak familjen.Po është e pamundur. Kërkojnë eksperiencë.’’
Studentët tregojnë se kërkojnë punë nëpër lokale si kamarierë apo nëpër call center si operatorë telefonikë. Natyrisht që kjo e fundit kërkon zotërimin e një gjuhe të huaj.

Një studenti i duhen rreth 10 mijë lekë për të mbuluar shpenzimet e një muaji. Këto para zënë shpesh here një pjesë shumë të madhe të buxhetit familjar. Ka familje që kanë më shumë se një fëmijë në shkollë. Për ta është shumë e vështirë të përballojnë shpenzimet dhe sidomos kur i vetmi burim në shtëpi është rroga e kryefamiljarit. Ky duket se është dhe rasti i vajzës nga qyteti i Rubikut, Mirës. Ajo studion për gjeografi, viti i dytë, master professional kurse motra e saj studion frengjisht, viti i dytë bachelor. Mira tregon se për familjen e saj është shumë e vështirë të përballojë shpenzimet e të dy vajzave.
“Jetesa në kryeqytet është shumë e vështirë. Në familjen tone punon vetëm babai se vëllai është akoma i vogël. Vitin e kaluar me vështirësi gjeta punë në një fast-food me një rrogë minimale prej 10 mijë lekësh. Nuk ishin shumë por të paktën shërbenin për dicka. Këtë vit nuk gjeta dot”- tregon studentja.

Studentët nuk kërkojnë sigurime dhe në qoftë se u ndodh diçka në punë përsëri paguajnë prindërit.

e diel, 14 prill 2013

Jeta mes lagështisë dhe errësirës.


Nga: Oligerta Rrodhe
Në lagjen 85 (Gramsh) ka ekzistuar uzina e baterive e ishin të punësuar mijëra punëtorë. Pas disa kohësh ajo falimentoi dhe të gjithë mbetën të papunë. Sot ajo ka funksion tjetër. Është kthyer në vendbanim për të pastrehët. Varfëria I ka sjell të jetojnë midis kushteve skandaloze. Mes helmit të baterive, mes dioksidit të karbonit sepse aty ka ende mbetje baterish. Në atë godinë rrjeti I ujsjellësit nuk funksionon, as energji elektrike nuk ka.                                                                                                                   Ajri është shumë I rëndë, nuk mund të qëndrosh dot, por halli I detyron familjarët të ushqehen, të flenë aty. Të jetojnë mes lagështisë, mes errësirës, pa dyer e pa dritare.

 Antoneta Shahini është një prej banoreve dhe nëna e 3 vajzave të vogla që tregon cdo gjë me lot në sy. “ Kam jetuar në pallat por nuk kisha mundësi të paguaja qiranë dhe me nxorrën jashtë.Nuk kisha ku të shkoja dhe erdha këtu”.
Më shikon me një rreze shprese dhe shprehet se është e lumtur që dikush po interesohet për hallet e saj. 


Afrohet dhe komshija e saj duke treguar  dhe ajo problemet e vendin ku banon.
“ Nuk kam punë, nuk kam të ardhura, nuk marr as ndihmë ekonomike, nuk e mposht dot varfërinë”. Fëmijët ulnin kokat kur dëgjonin nënat e tyre tek rrëfenin problemet që kishin. Me këmbë të zbathura e duke kërkuar ushqim afrohet një vajzë e vogël 2 vjecare. Dhe nëna I drejtohet duke I thënë se nuk ka asgjë për ti dhënë. Vajza e vogël smund ta kuptojë gjendjen e familjes.
                 
“ Jeta na është bërë një ferr I vërtet. Më dhemb shpirti tek shoh fëmijët në këtë gjendje. As shtëpi, as drita, as ujë dhe mbi të gjitha as bukë. Nuk jetohet mes errësirës, të ftohtit, mes helmit, mes varfërisë”. Duke lotuar e duke ju shuar zëri mbyll rrëfimin e saj Antoneta.


e enjte, 11 prill 2013

Kombëtarja e De Biasit shkruan historinë


Nga: Esmeralda Gjini
Kombëtarja Shqiptare e futbollit vendos një rekord historik. Fitorja në ndeshjen ndaj Norvegjisë në Oslo për eliminatoret e botërorit dhe në miqësoren ndaj Lituanisë në Qemal Stafa me rezultatin 4-1 kanë bërë që skuadra e De Biasit të renditet e 48-ta nga FIFA për muajn prill, duke u ngjitur kështu 16 vende më lart se një muaj më parë. Arritjet e skuadrës së De Biasit kanë shtuar shpresat e Shqiptarëve për një kualifikim të kuqezinjëve në Botërorin që mbahet vitin tjetër në Brazil. Shqipëria renditet e dyta në grupin E vetëm një pikë larg nga Zvicra që kryeson grupin. Ëndrra e shumë Shqipëtarëve për pjesmarrjen në botëror duket  më afër se kurrë.

Të gjithë gazetarë ?!


Nga: Marjeta Shima
Me përhapjen e rrjeteve sociale anembanë të gjithë mund të raportojnë një ngjarje kudo që të jenë me anë të një telefoni  të pajisur me internet. Por çfarë ndodh? A mund të quhet gjithkush gazetar?  
                   
Të jesh në pozicionin e gazetarit ose të watchdog-ut siç cilësohet shpeshherë nuk është e lehtë. Gazetari duhet ta kërkojë lajmin. Por edhe një qytetar I thjeshtë që shikon një ngjarje mund ta raportojë psh: poshtë pallatit ndodh një aksident dhe ajo që mund të bëjë një qytetar është që ta publikojë në një nga rrjetet sociale. Në publikim mund të përfshihet vendi, koha, numri I të lënduarve nqs ka, tipi I makinave etj
.
Po për gazetarin çfarë mbetet për të bërë? Për çfarë I duhet shkolla një studenti  gazetarie?
Pikërisht këtu bëhet dallimi. Gazetari informacionin për aksidentin mund ta marrë që në redaksi ose është njoftuar nga burimet e tij. Puna e tij që bën dallimin me qytetarin e thjeshtë është hulumtimi: Si ndodhi ngjarja?Cili ishte shkaku?

Kohët e fundit po I jepet mjaft rëndësi këtyre dy pyetjeve. Duket sikur janë ndarë “detyrat”, pyetjeve kush? Ku? kur? mund ti përgjigjet edhe një qytetar I thjeshtë, kurse pyejteve Si?Pse? e ka për detyrë ti përgjigjet gazetari.

Një dallim tjetër midis “gazetarëve” të rrjeteve sociale dhe gazetarëve profesionistë është se të parët kanë mungesë profesionalizmi. Një informacion që kanë rreth një ngjarje ato e hedhin ashtu siç është kuturu, pa një strukturë, pa I dhënë një formë publikimit të tyre, pa hulumtuar shumë, pa marrë në intervistë burime të ndryshme. Po të qëndrojmë tek kjo e fundit mund të themi se një lajm pa burime apo citime nuk mund të quhet I tillë. Janë burimet ato që e bëjnë më të besueshëm një lajm. Lajmi me një burim është I vdekur.

Pra dallimi midis një student gazetarie dhe një qytetari të thjeshtë që publikon nëpër rrjetet sociale është shkolla, e cila e formëson studentin, e profilizon në një fushë të caktuar dhe në këtë mënyrë e përgatit  për t’iu përshtatur tregut të punës.

Jo çdo kush mund të shkruajë një lajm ekonomik, por një student gazetarie I profilizuar në fushën ekonomike përgatitet semestër pas semestri për shkrimin e lajmeve të tilla. Pra nqs do të ngrenit një pyetje: A po I shtohet konkurenca gazetarëve? Do ti përgjigjesha fare qartë, me përgatitjen në 3 vite shkollim në departamentin e Gazetarisë dhe Shkencave të komunikimit, “gazetarët” e rrjeteve sociale nuk janë aspak për tu patur frikë.

Komunikimi Joverbal




 Para disa ditësh takova një mikeshën time. U ulëm diku për të biseduar dhe ndërsa po i tregoja për një ngjarje që më kishte ndodhur, po vëreja se ajo nuk më shikonte kurrë në sy dhe se vazhdimisht pohonte ato që po thoja. Tregimi mu ndërpre nga një telefonatë e shkurtër dhe duke vënë re sjelljen e shoqes, vendosa që pas telefonatës, të mos ta vazhdoja më. Kjo disi edhe për të testuar mikeshën time. Kështu nisa ta pyesja për diçka tjetër dhe nuk më habiti fakti që ajo nuk kërkoi të dinte fundin e historisë së mëparshme.
   Pikërisht sjellja e saj ishte pjesë e një komunikimi joverbal i cili tregonte qartazi një mungesë interesi për temën e bisedës apo qoftë dhe mungesë vëmendjeje. Sigurisht që ajo në mënyrë të vetdijshme, mund të mos ketë dashur të krijojë këtë përshtypje te unë duke qenë se pohonte ato që unë thoja, por u tradhtua nga e pavetdijshmja. Nuk arrinte të kuptonte se sytë e saj flisnin më shumë se fjalët që thoshte.
  Duke qenë se një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në  komunikimin joverbal është kultura, sjelljen e mikeshës sime, dikush tjetër në një vend tjetër, mund të mos ta kishte interpretuar në të njëjtën mënyrë. Një japonez për shembull, mungesën e kontaktit sy më sy do ta interpretonte si një shenjë respekti. Por këto ndryshime kulturore të komunikimit joverbal shpesh shkaktojnë keqkuptime e madje dhe probleme. Sipas Institutit Politeknik Rensselaer shenja “O.K.” që përdorin gjerësisht amerikanët, në Japoni ka kuptimin e parasë, ndërsa në disa vende të Amerikës Latine ky gjest ka kuptim ofendues. Prandaj botuesit e një gazete në Brazil publikuan me kënaqësi një fotografi të Presidentit amerikan duke bërë shenjën “O.K.” me të dyja duart.
  Sytë dhe fytyra në përgjithësi, janë padyshim pjesët më shprehëse të trupit të njeriut. Edhe nëse përpiqemi t’i fshehim reagimet dhe emocionet tona, shpesh fytyra na tradhton. Vetëm sytë gjatë komunikimit shprehin 80% të mesazhit. Dane Archer i Universitetit të Kalifornisë  e quan fytyrën “organi i emocionit”. Ajo është si një telajo dinamike thotë ai,  ku emocionet vizatohen gjallërisht, pastaj papritur fshihen vetëm për të rivizatuar në një shprehje të re një çast më vonë. Sipas Archer fytyra është ndoshta “kanali” më i fuqishëm i komunikimit joverbal.   
  ”Ne kodojmë mesazhe në shprehjet e fytyrave tona dhe në të njëjtën kohë çkodojmë fytyrat e njerëzve rreth nesh.”
  Por komunikimi joverbal nuk ka të bëjë vetëm me shprehjet e fytyrës. Në të përfshihen lëvizjet trupore, qëndrimi, distanca mes personave, veshja, pamja e jashtme në tërësi, zëri, prekjet, aromat etj. Sipas një studimi të publikuar tek “The New York Times” edhe prekjet kanë një rëndësi dhe domethënie mjaft të madhe. Janë monitoruar ekipet e basketbollit të NBA dhe ka rezultuar se ekipet, lojtarët e të cilave kishin më tepër kontakt fizik me njëri-tjetrin, ishin dhe më të suksesshmet. Në artikull Dr. Matthew Hertenstein shprehet:
“Dikur ne mendonim se prekja shërbente vetëm për të intensifikuar emocionet e komunikuara.” Tani del se ato janë “një sistem sinjalesh shumë më të diferencuara nga çfarë ne kishim imagjinuar.”
  Një studim i Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles(UCLA) tregon se gjatë komunikimit, 93% e mesazhit vjen te marrësi në mënyrë joverbale. Pra vetëm 7% e mesazhit përcillet nga fjalët. Por pavarësisht faktit se ky studim ka marrë kritika të shumta, mendoj se fuqia e komunikimit joverbal absolutisht nuk mund të nënvlerësohet. Çdokush mund të provojë të shikojë një film dhë të ulë tërësisht volumin e televizorit. Nuk do ta kishte shumë të vështirë të kuptonte rrjedhën e ngjarjeve.
  Të transmetosh një mesazh nuk do të thotë domosdoshmërisht të transmetosh mesazhn që ti ke në mendje. Marrësi mund ta interpretojë atë shumë ndryshe nga ti. Në rastin më të mirë komunikimi joverbal është përforcues i atij verbal, e mbështet atë, por përndryshe, në qoftë se ata janë kontradiktorë, atëherë  do të besohet ai joverbal. Duke qenë i pavetdijshëm dhe rrjedhimisht i pakontrollueshëm, komunikimi joverbal shpreh më mirë identitetin dhe karakterin e personave prandaj është dhe më i besueshëm. Ne japim dhe marrim me mijëra mesazhe joverbale në ditë. Prandaj njerëzit duhet të tregohen shumë të kujdeshëm për komunikimin joverbal nëse duan të kuptohen siç duhet dhe të mos dërgojnë mesazhe të gabuara pasi shpesh herë, veprimet flasin më shumë se fjalët.

e martë, 9 prill 2013

Reality show në një këndvështrim tjetër.

Nga: Marjeta Shima
Të marrësh pjesë në një reality show do të thotë të bëhesh pjesë e industrisë mediatike. Kjo e fundit vendos kushtet që I përshtaten në treg dhe që e bën më të dashur figurën e vet në sytë e publikut. Një nga kushtet e reality show-t është izolimi që konsiston në faktin se çdokush që futet brenda është I kufizuar në kohë dhe në hapësirë, përballet çdo ditë me të njëjtët njerëz. Pamundësia për të ndryshuar publikun, që në këtë rast janë bashkëjetuesit, shkakton një gjendje stresi tek secili. Jemi mësuar që në jetën tonë të përditshme të përballemi me njerëz të ndryshëm, situata të ndryshme dhe për çdo rast ndryshojmë “maskë”. Ndërkohë në kushtet e izolimit ato nuk kanë mundësi të ndryshojnë “maska”, sepse edhe publiku është I njëjtë. Vetë formati I detyron njerëzit të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin edhe pse në jetën e tyre të përditshme nuk do të kishin qëndruar asnjë sekond bashkë.


Por a paraqitet vërtet realiteti në këto formate apo me ndërhyrjen e industrisë mediatike gjithçka ndryshon?

Prania e kamerave në çdo cep të ambientit të izoluar absolutisht që ndikon. Shpeshherë I frenon në shumë sjellje, por ndodh edhe që kamera të shfrytezohet. Të gjithë duhet të përpiqen të bëjnë çdo gjë për të rënë në sy tek publiku qoftë për të mirë apo qoftë për të keq. Realiteti që paraqitet tek publiku është ai që media përgatit duke e parë nga këndvështrimi dhe interesi I saj. Pra publiku merr atë që media I servir. Opinion publik në një farë mënyre ndikohet nga media. Nqs një personazh I paraqitet si I “dashur”do të thotë që media ka ndikuar pozitivisht dhe anasjelltas.


Sa merret parasysh mendimi I publikut?
Një përgjigje e shpejtë mund të ishte sigurisht që merret, publiku vendos me anë të votës. Por deri në momentin që ky votim është I fshehtë, pra nuk ka transparencë për publikun, çdokush ka të drejtë të hedhë hipotezën se është industria mediatike ajo që vendos se kush do të dalë nga izolimi e kush do të vazhdojë.
E vetmja gjë që është reale në këto show janë pjesëmarrësit, por të përshtatur me kushtet e izolimit. Ato marrin parasysh çdo gjë me ose pavetëdije kur vendosin të bëhen pjesë e këtyre formateve



Recension “Magjistricat e Firences” Salman Rushdie


Ky libër i shkrimtarit indian Salman Rushdie, shumë i diskutuar në mbarë botën për veprat e tij të cilat shkaktuan trazira të mëdha në botën islamike(“Vargjet Satanike”), të krijon idenë se je duke lexuar një përrallë, por një përrallë kjo me përmbajtje për të rritur(!). Ndoshta këtë përshtypje ta krijon dhe kopertina e cila është tipike e librave me përralla, por edhe përmbajtja e tij.



Që në fillim libri të zhyt në një atmosferë ekzotike, na çon në perandorinë e largët të Mongolit të Madh, perandorit Ekber.

  “Liqeni vezullues, në grimat e fundit të dritës së ditës, në këmbët e pallat-qytetit, ngjante me një det ari të shkrirë. Udhëtarit, i cili po kalonte këndej në perëndim të diellit, përgjatë rrugës së bregut të liqenit, mund t’i dukej sikur po i afrohej fronit të një monarku kaq të kamur, saqë kishte dhënë lejen që një pjesë të thesarit të tij ta shkrinin e, me të, të mbushnin një gropë të stërmadhe në tokë, e gjitha kjo për të lëbyrur sytë dhe mendjet e mysafirëve...”

   Në dyert e kësaj perandorie, shfaqet një ditë një djalosh flokëverdhë fiorentinas i cili e quan veten “Mogor del’ Amore”(mongol i lindur jashtë lidhjes martesore). Ai mban me vete një sekret i cili sipas tij është i denjë vetëm për veshët e një perandori, një gjetje e autorit kjo që ia mban kureshtjen ndezur lexuesit. Rrëfimi i ketij sekreti na çon në aventura të shumta, nga njëri kontinent në tjetrin duke përfshirë një larmi personazhesh të historisë botërore si Machiavelli, familja Medici e Firences, Shah Ismaili i Persisë, Amerigo Vespucci, Vlad Drakula etj. I gjithë libri përshkohet nga alternime të vazhdueshme të periudhave kohore dhe të perspektivave. Historia tregohet nga këndvështrimet e pesonazheve të pafundë, herë realë e herë të trilluar nga vetë autori të cilët janë të vendosur në periudha të ndryshme kohore.
Thelbi i tregimit është analogjia midis Perëndimit dhe Lindjes, ku vihen përballë Firence dhe Sikri(kryeqytet i perandorise Mugale), raport që përshkallëzohet më tej me lidhjen e gjakut mes perandorit Ekber dhe djaloshit fiorentinas Niccolo Vespucci.
  Libri është një përzierje mes filozofisë, historisë dhe fiction-it. Perandori Ekber shumë shpesh mediton mbi dilemat e mëdha që ka në lidhje me pushtetin, qeverisjen e vendit, por edhe për marrëdhëniet shoqërore. Për kompleksitetin e natyrës njerëzore.

  “ ‘Ne’-ja ishte fjala e lindur për mbretërit. Mirëpo edhe vegjëlia , pa dyshim, fliste për veten me përemrin ‘ne’, ia lejoi vetes të mendojë për hir të drejtësisë dhe në funksion të debatit. Mos e kishin gabim? Apo (Ah, mendim tradhtar!) mos e kishte ai gabim?...”

Ekberi, nëpërmjet imagjinatës ka sjellë në jetë bashkëshorten e tij ideale e cila vërtitet nëpër pallat si një fantazmë, e urryer nga gratë e tjera(reale) të perandorit; princesha magjistricë, Karakëzja, është në gjendje të magjepsë këdo që e shikon, qoftë burrë apo grua...dhe një sërë ngjarjesh të kësaj natyre, zënë vend në tregim. Libri ka doza erotizmi madje vende-vende edhe sharje që ndoshta publiku shqiptar mund të mos jetë mësuar t’i gjejë nëpër libra. Megjithatë, pavarësisht befasisë së lehtë që të krijojnë këto elemente të fundit, çdo gjë është përshtatur më së miri me të tërën. Libri është mjaft i kompletuar për shkak të të gjithë elementeve që autori ka përfshirë në të, ndërtimi në formën e një përralle, e bën shumë tërheqës dhe ka aftësinë ta largojë lexuesin nga realiteti dhe streset që ai mbart.

                                                                                                                                        Kristi Tashi